Ke shkathtësi? Je papunë?
Atëherë, Panairi i Punës është mundësi e shkëlqyer për ty. Jo vetëm do të kontaktosh me shumë punëdhënës, por mund të intervistohesh e madje, të punësohesh menjëherë. Ia vlen ta provosh!
Disa këshilla për sukses:
- Planifiko! Informohu cilat kompani marrin pjesë në panair, përcakto çfarë pune kërkon dhe me kë duhet të bisedosh. Punëdhënësi vlerëson kandidatin që ka njohuri për kompaninë e tij.
- Përshtypja e parë! Që të biesh në sy në mesin e qindra punëkërkuesve të tjerë, veshja duhet të jetë profesionale dhe në përputhje me punën që kërkon. Mbaje në mend: Mirësjellja vlerësohet. Përshëndete punëdhënësin, shihe personin tjetër në sy, buzëqesh dhe zgjate dorën me vetëbesim.
- Bëje një strategji! Së pari, vizito kompanitë që të interesojnë më shumë: dita sapo ka filluar dhe ke më shumë energji dhe fokus. Shfaq interesim dhe synime të qarta për vendin e punës. Vëzhgo të tjerët si veprojnë dhe cilët punëdhënës duken më aktivë. Mbaje në mend: Iniciativa vlerësohet nga punëdhënësi prandaj mos ngurro, afrohu dhe prezanto veten.
- Merr mjete ndihmëse! Merr me vete një bllok dhe një laps për të mbajtur shënime të dobishme: përshtypjet nga intervistat, me kë je takuar, kontaktet e tyre. Mbaje në mend: Punëdhënësi e vlerëson një kandidat të përgatitur mirë.
- Prezantohu! Përgatit një prezantim 1-2 minuta për shkollimin, shkathtësitë tuaja profesionale apo përvojën e punës. Merr me vete së paku 10 kopje të CV-së, nëse ke përvojë merr me vete letrat e referencës, apo mostra të produkteve apo krijimeve tua. Mbaje në mend: Shfrytëzoje kohën sa më mirë. Punëdhënësi kërkon njerëz efikasë!
- Bëjë pyetje! Përgatit disa pyetje për punëdhënësin potencial dhe përgatitu t’u përgjigjesh pyetjeve të tyre. Mos pyet për pagën apo beneficionet që në intervistën e parë; çdo gjë ka kohën e vet. Mbaje në mend: Punëdhënësi e vlerëson një kandidat që interesohet për pozitën e punës dhe objektivat e kompanisë, e jo një kandidat që kërkon vetëm të marrë një pagë.
- Krijo rrjetin! Panairi i Punës është mundësi e shkëlqyer për të zgjeruar rrjetin e njohjeve me punëdhënës, por dhe punëkërkues të tjerë. Mbaje në Mend: Edhe nëse nuk ke gjetur punëdhënësin e duhur, Panairi i Punës është hap fillestar drejt karrierës dhe një rast shumë i mirë për të testuar veten.
Suksese nga YesKosovo!