Disa këshilla për ata që janë në kërkim të një vendi pune

Intervistat apo edhe thjesht aplikimet për një vend pune janë një nga shkaqet e stresit tek ne, sidomos nëse bëhet fjala për intervistën e parë, kur as që je përballur ndonjëherë me tregun e punës, apo me një punë të caktuar. Por mos e merrni kaq me stres. Përballë do të keni një person tjetër, i cili me shumë mundësi ka qenë edhe vete dikur në të njëjtën situatë, sepse të paktë janë ata që vendosen menjëherë në poste drejtuese.

Ndaj, për t’ju ardhur në ndihmë, ne kemi listuar disa këshilla, të cilat na kanë ndihmuar edhe në aplikimet apo intervistat tona për punë. Bëni mirë t’i merrni parasysh.

  1. Kodi i veshjes. Përderisa nuk keni shkelur më parë në një vend pune, nuk keni se si ta dini kodin e veshjes në atë kompani, por që mund ta merrni me mend që nuk është etike një veshje esktravagante, apo shumë e hapur. Nëse visheni në mënyrë serioze, kjo e bën edhe më serioze kërkesën tuaj për punë.
  2. Jini të qeshur gjatë intervistës. Mbani një posturë të drejtë në karrige dhe shoqërojini fjalët tuaja me buzëqeshje, edhe nëse personi që keni përballë mund të qëndrojë serioz. Shpesh herë punëdhënësit janë seriozë gjatë intervistave, ndaj përpiquni të bëni edhe gallata për t’i bërë ata të qeshin. Jeni ju që fitoni më tepër pikë.
  3. Mos përmendni eksperienca pune, për të cilat nuk mund të jepni dot shpjegime të pranueshme. Psh, nëse një vend pune e keni lënë, sepse mund të jeni zënë me një nga eprorët tuaj, më mirë mos e përmendni fare, sepse me siguri punëdhënësi i ri do t’ju pyesë: “Pse e latë këtë vend pune?” dhe nëse i thoni arsyen e vërtetë, jeni ju që humbisni pikë.
  4. Flisni paraprakisht me të tjerët. Mundësitë për komunikim janë të shumta në ditët e sotme nëpërmjet rrjeteve sociale. Ka plot grupe për ndihmë për punësim, ndaj bëni mirë të pyesni për vende të caktuara pune. Edhe pse mund të mendoni se Tirana është qytet relativisht i madh, nga eksperienca jua themi se në grupe të tilla në Facebook do të gjeni persona që kanë punuar në kompani nga më të ndryshmet, të cilët padyshim do t’ju informojnë për pagesat, apo kushtet e punës.
  5. “Shisni”. Tregoni se sa vleni. Intervista apo takimi i parë për punë është prezantimi i parë dhe ndoshta i vetmi që ju mund të bëni me punëdhënësin tuaj, ndaj mundohuni të jepni sa më shumë nga vetja juaj. Shmangini emocionet duke marrë masa që përpara se të hyni në kompani për intervistë dhe jepni maksimumin tuaj. Tregoni se sa vleni në çdo pyetje që ju bëhet.

 

—Nga Bota.al