Katër mënyra për të ngritur moralin e punonjësve

Në një ambient pune që përbëhet nga shumë individë, shpesh është e vështirë për të gjetur një pikë të përbashkët, ku të gjithë të ndihen të vlerësuar, e moralisht shumë në formë. Ky i fundit është shumë i rëndësishëm për të patur një rendiment të lartë të çdo individi. Morali është një pikë thelbësore e ditës së punës dhe rënia e tij mund të shkaktohet nga një sërë faktorësh, duke filluar që prej zbehjes së entuziazmit, rritjes së presionit nga ana e drejtuesve, e të tjera. Pavarësisht shkakut, morali i ulët i punonjësve në një ambient pune kërkon një përgjigje të menjëhershme nga ana e drejtuesve. Në momentin kur këta të fundit nuk janë në gjendje për të ndryshuar atë që po ndodh në radhët e stafit, ata duhet të nxisin një ambient të ri, i cili duhet të jetë më shumë produktiv dhe shpërblyes për të gjithë ekipin e punës. Është shumë e rëndësishme që drejtuesit të gjejnë momente për të njohur meritat e anëtarëve të stafit, për një punë a detyrë të kryer mirë. Kjo është gjëja më e thjeshtë, më pak e kushtueshme dhe mënyra më e mirë për të rritur moralin e atyrë që punojnë çdo ditë. Kjo do të thotë se është shumë e rëndësishme për t’i vlerësuar njerëzit në mënyrën e duhur, e jo thjesht, vetëm me komplimente të parëndësishme. Gjëja më e mirë është që vetë drejtuesi të vërë re kur dikush nga stafi i tij përmirësohet nga ana e aftësive e t’i tregojë atij se është shumë i kënaqur nga puna që ka bërë stafi. Nga ana tjetër, një drejtues i zoti gjen mundësi për të nxjerrë në pah edhe kontributin individual të anëtarëve të stafit, përballë të gjithëve. Nëse dikush vlerësohet me meritë përballë të gjithë të tjerëve, mund të nxisë vlerësimin e punonjësve dhe t’i motivojë ata për të arritur stade më të suksesshme të objektivave të caktuara nga kompania.

Vendosja e objektivave me shpërblim

Një prej pikave të forta të strategjive të manaxhimit është vendosja e objektivave të stafit, si i tërë, kështu që drejtuesit duhet të punojnë ngushtësisht me punonjësit e tyre, për të vendosur objektivë që kanë baza të realizueshme, e të mos jenë të paarritshëm. Këto objektiva, gjithmonë kanë të bëjnë me punën, por nga ana tjetër mund të kenë edhe një përmbajtje paksa të ndryshme nga e përditshmja, për të mos i bërë të zymtë. Përgatitja e ekipit të punës për të punuar drejt një objektivi në terma afatshkurtër, si dhe shpërblimi me çmime, ose me vlera monetare është një mënyrë shumë nxitëse për këdo që kërkon një mjedis pune, gjithnjë e më krijues. Anëtarët e stafit tuaj kanë momente të moralit të ulët edhe në rastet kur ju bëni komplimente, plotësisht të merituara për përmbushjen e objektivave dhe kjo është gjë normale. Në vend që të prisni që kjo situatë të kalojë vetë, përdorni momentet e frustrimit, për të kërkuar për zgjidhje. Mundohuni të kuptoni nga punonjësit tuaj, se përse ata ndihen me moral të rënë dhe gjeni mënyra për t’i drejtuar sa më mirë ata. Këto biseda fillimisht mund të duken si të çuditshme, por janë një rrugë mjaft e mirë për të qenë i sinqertë dhe i dobishëm për ta. Për të thyer disi “akullin” provoni të tregoni një histori personale, rreth një kohe kur ju jeni ndjerë vetë të frustruar me ngarkesën e punës, apo me një drejtues. Bëjani të qartë çdo punonjësi se ju po kërkoni ndihmë nga ata, për të nxitur moralin e përgjithshëm të kompanisë, si dhe i nxisni për të bërë sugjerime për mënyrën e përmirësimit të dinamikës së punës në grup.

Mos shkelni oraret

Morali në radhët e punonjësve shpesh ulet, në rastet kur ata ndihen sikur nuk përmbushin plotësisht detyrimet e tyre personale, sociale, apo familjare, jashtë punës. Ju, si drejtues duhet të përgatisni stafin për sukses, por duhet edhe t’i ndihmoni për të arritur objektiva edhe në jetën personale. Një prej mënyrave është biseda me ta rregullisht rreth aktivitetit javor. Zbuloni nëse ndonjë prej tyre ka ndonjë angazhim dhe mundohuni që të lehtësoni orarin në atë ditë. Në këtë mënyrë keni ndihmuar anëtarët e stafit që të kenë një jetë të lumtur edhe jashtë punës, që përkthehet në një gjendje më të mirë në punë.

Zbuloni talente të veçanta, të pashfrytëzuara në përditshmërinë e punës

Në momentin kur drejtohet një grup njerëzish ka shumë rëndësi që ju të kujtoni ekipin tuaj të punës, që funksionon nga individë që sjellin aftësi të ndryshme në ekip. Një gjë e tillë sigurisht që zbatohet në punë, por ju duhet të shihni nëse ndonjë prej tyre ka ndonjë talent krijues të veçantë, që ju nuk e keni shfrytëzuar deri më tani. Ju mund të organizoni çdo javë një aktivitet, ku çdo anëtar i stafit shpalos një aftësi, a talent që është i panjohur për grupin. Në ekip ju mund të keni një njohës të mirë verërash, një kampion tenisi, apo një artist. Nxitja e njerëzve për të ndarë talentet dhe interesat me grupin, jo vetëm që do t’iu japë atyre një mundësi për të punuar në diçka që e duan, por do të ndihmojë edhe grupin për të qenë më të bashkuar. Kur një i ri i bashkohet stafit, ju duhet t’i kërkoni të plotësojë një formular rreth pasioneve e dëshirave që mund të ketë, si koncertet, apo sportet.  Ruajeni këtë informacion në një dosje. Në rastin kur ata punojnë deri vonë, bëjuani surprizë një biletë koncerti, a ndeshjeje, ose një surprizë për ditëlindje. Çdo njeri i vlerëson veprimet e dashamirësisë.

Drejtoni duke u bërë shembull

Është e pamundur që ju të jeni gazmor 100% të kohës. Nëse stafi juaj është duke u drejtuar te një sezon i ngarkuar, apo projekt i vështirë është shumë e rëndësishme për të ardhur në punë me një humor të mirë, si dhe të zellshëm për të zbutur ankesat, në sy të punonjësve. Mos harroni se të tjerët do të shohin tek ju për të kuptuar se si të kenë një qasje te procesi i duhur i punës, si dhe për atë çka ndodh në kompani. Kështu ata do të kenë një këndvështrim të kuadrit të përgjithshëm të situatës dhe parashikimi juaj mund të përcaktojë edhe ecurinë e humorit të të gjithë kompanisë.  Mbi të gjitha, nuk duhet të harroni se ju, si drejtues duhet ta keni përparësi kryesore moralin e punonjësve, pasi nga puna e tyre varet suksesi juaj. Përpjekja juaj në këtë drejtim duhet të jetë e vazhdueshme dhe strategjike dhe komunikimi juaj duhet të jetë i rregullt, siç duhet të jenë edhe përgjigjet nga ana juaj. Njihjuani meritat dhe mos harroni për të qenë në humor të mirë, pasi, mbi të gjitha, rritja e moralit do të krijojë një mjedis sfidues e të këndshëm, jo vetëm për stafin tuaj, por edhe për ju.

 

—Nga SCAN TV